Internet i sigurt. Sfida e ditëve të sotme.
Një material nga Lulëzime Hoxha
Psikologe Shkollore dhe Organizacionale
(Në ndihmë të prindërve)
Sot mësimi online është kthyer në një nga alternativat më rëndësishme në periudhën në të cilën po jetojmë . COVID-19 ka sjellë mbylljen e shkollave dhe marrjen e masave dhe distancimit fizik në mbarë botën, dhe ka kthyer përdorimin e platformave digjitale si mjetin më të domosdoshëm për tu informuar,për të zhvilluar aktivitete, për të mbajtur komunikimin me njerzit e dashur, dhe më e rëndësishmja për të ndjekur procesin e të nxënit.
Përveç fëmijeve më të rritur, një përdorim të gjërë të internetit kanë filluar të kenë dhe fëmijët e vegjël të cilët i nënshtrohen mësimit online por dhe si një mënyrë për tu argëtuar në kushtet ku mundësitë e argëtimit janë të pakta. Shtimi i veprimtarive në internet mbështet të nxënit, socializimin dhe argëtimin e fëmijëve, por ndërkohë i vendos ata përpara një rreziku më të madhë madh ndaj lëndimeve online si:
 
Bullizmi kibernetik,i cili është një shqetësim madhor për fëmijët dhe adoleshentët dhe ka ndikime negative nga më të ndryshmet, shumë fëmijë po kalojnë kohë të gjatë dhe të paorganizuar online dhe po përballen me shqetësime në rritje, bullizmi kibernetik mund të jetë më intensive dhe i vazhdueshëm. Ngacmimi me fjalë,poshtërimi dhe diskriminimi janë disa nga format me të cilat mund të shprehet bullizmi kibernetik.
Përmbajtje të papërshtatshme . Mungesa e ndërveprimit fizik me shokët dhe partnerët mund të bëjë që fëmijët më të mëdhenj të përfshihen në sjellje të rrezikshme online, si për shembull nëpërmjet dërgimit të mesazheve apo ftove me përmbajtje jo të përshtatshme të cilat mund ti ekspozojnë ata ndaj kërcënimeve dhe ngacmimeve të vazhdueshme.
Lojrat dhe informacionet e dëmshme. Rritja e veprimtarisë online mund t’i ekspozojë fëmijët ndaj përmbajtjes potencialisht të dëmshme dhe të papërshtatshme për moshën, duke përfshirë përmbajtjen që është e dhunshme, ksenofobe, dhe promovon dhunën, ose lojra të cilat nuk janë aspak të sigurta dhe kanë për qëllim të nxisin vetëvrasjen dhe lëndimin ndaj vetes.
Roli dhe detyrat e prindërit për sigurinë e fëmijës në aktivitetet online është shumë i rëndësishëm. Procesi i mësimit online ndodh në kushtet e shtëpisë ndaj prindi apo kujdestari ndodhen më pranë se kurrë fëmijës së tyre prandaj është me rëndësi që prindëri të jetë “rregullator” për kohën dhe gjithë aktivitetin që ka fëmija në internet.

Çfarë duhet të bëjnë prindërit?

• Mbajtja e fëmijëve të informuar dhe të angazhuar, si dhe aftësimi i tyre për përdorimin e internetit në mënyrë të sigurt është një mënyrë thelbësore e mbrojtjes.
• Prindërit mund të vendosin me fëmijët e tyre rregulla se si, kur dhe ku mund të përdoret interneti. Për të vendosur një ekuilibër të shëndetshëm ndërmjet kohës online dhe veprimtarive të tjera duhet të përcaktohen disa kufij.
• Prindërit duhet të sigurojnë që pajisjet e fëmijëve të tyre të kenë përditësimet më të fundit të softuerit dhe programet e antivirusit, dhe të garantojnë se niveli i privatësisë në cilësimet të jetë përzgjedhur si ‘i lartë’.
• Në rastin e fëmijëve të vegjël, veprime si kontrollet prindërore mund të ndihmojnë në zbutjen e rreziqeve online.
• Diskutoni hapur me fëmijët tuaj se si dhe me kë duhet të komunikojnë online. Fëmijët duhet të dinë se ndërveprimet e sjellshme janë të pranueshme, ndërsa kontakti i dëmshëm, diskriminues ose i papërshtatshëm nuk është i pranueshëm.Fëmijët duhet të kenë vetëbesim për t’i treguar menjëherë një të rrituri të besuar kur ndodh diçka shqetësuese ose e papërshtatshme.
• Prindërit duhet të jenë vigjilentë ndaj shenjave shqetësuese të fëmijës së tij që mund të shfaqen në lidhje me veprimtarinë online. Për shembull, nëse një fëmijë përjeton bullizëm kibernetik, ai mund të shfaqë qëndrime të ndryshme në sjellje, si përdorimi më i shpeshtë ose më pak i shpeshtë i pajisjes së tij, ose të qenit i tërhequr ose i shqetësuar.