Pse nuk mund të jesh “shok” me fëmijën tënd

 

Përgatiti: Rudina Koromani Psikologe Klinike

 

Shumë prindër po e përdorin githmonë e më shumë shprehjen “ e kam si shok”, “jemi si shoqe” për të nënkuptuar marrëdhënien e ngrohtë komunikuese me fëmijët e tyre e duke menduar se janë më pranë problemeve të fëmijës.
Por kjo gjë është e gabuar… një prind nuk mund të jetë kurrë “shok” i fëmijës së tij.

Dashuria, afeksioni dhe vlerësimi – janë thelbësore në marrëdhënien e një prindi me fëmijën dhe është shumë e bukur kur shihet, ama deri këtu kemi vetëm një pjesë të vogël të prindërimit. Në fund të fundit edhe një kafshë i jep ngrohtësi këlyshit të tij.

Roli prindëror njerëzor është një varg përgjegjësish pa fund. Për një foshnjë, kjo do të thotë ta ushqehesh, ta ndërrosh, ta lash, dhe përgjithësisht t’i sigurosh gjithshka i duhet fëmijës. Për një 10 vjeçar, kjo do të thotë të sigurohesh që detyrat e shtëpisë të jenë bërë. Dhe për një pesëmbëdhjetë vjeçar, kjo do të thotë të vendosësh rregulla dhe të përpiqesh që këto rregulla të zbatohen me përgjegjshmëri nga fëmija juaj.

Neglizhimi i këtij roli në funksionet që ka një prind e bën fëmijën të mos përpiqet të mos maturohet në një të rritur të përgjegjshëm. Pa dyshim që roli emocional dhe roli funksional prindëror shkojnë krah për krah me njëra tjetërën e asnjëra nuk duhet të mungojë. Por nuk është e shëndetshme për mirëqenien e fëmijës tuaj të theksohet njëra me koston e tjetrës.

Ama duhet të dihet dhe fakti se sa më shumë rritet fëmija aq më shumë duhet të mbizotërojë roli prindëror funksional sepse qëllimi për fëmijët e rritur është përgatitja e tyre të jetojnë pa ty, të përgatiten të fluturojnë vetë.

Fëmija juaj mund të mos pëlqejë rolin tuaj në vendosjen e rregullave, kufijve dhe respektimi e zbatimi i tyre, por vendosja e tyre është e rëndësishme për ti mësuar përgjegjshmëritë dhe për t’u mësuar të kuptojnë çfarë është e sigurtë dhe çfarë jo.

Ju jeni autoriteti i fëmijës tuaj – ky është roli dhe përgjegjësia juaj. Nëse përpiqeni të jeni mik me fëmijën tuaj, kjo vjen me koston e autoritetit tuaj dhe minon rolin tuaj si prind.

Duke folur praktikisht, fëmija juaj mund të gjejë një mik tjetër, por fëmija juaj nuk mund të gjejë një prind tjetër. Ti dhe vetëm ti mund të jesh prind i fëmijës tënd, dhe kjo është arsyeja pse duhet të jesh Prind dhe jo Prind si Shok.

Pse ndodh ky fenomen? Sipas këndvështrimit psikologjik “nevojat e hershme apo të tashme të paplotësuara emocionale” prindërore kompesohen përmes fëmijës duke formuar reagime emocionale të tilla. Kështu, nëse jeni rritur në një familje tepër të rreptë, mund të jeni tepër i butë me fëmijën tuaj, duke u përpjekur të jeni miku i fëmijës suaj dhe duke e mbytur fëmijën tuaj me vëmendje dhe dashuri. Por ky reagim emocional kompesues mund të ketë pasoja të padëshirueshme kur fëmija rritet.

Nëse mendoni se duke u bërë shoku i fëmjës do merrni besueshmërinë e tij – gaboni sepse ky është kurthi që shumë prindër nuk e shohin. Si rezultat i këtij “ besimi prej shoku” vjen mosrespektimi i autoritetit prindëror duke mos dëgjuar JO-në tuaj.

Kryesorja është që të keni një marrëdhënie të përgjegjshme me fëmijën tuaj e duke mos harruar mbështetjen emocionale. Të rriturit e përgjegjshëm nuk i lënë fëmijët e tyre të kalojnë detyrat e shtëpisë. Nuk i lënë fëmijët e tyre të justifikohen për dështimet. Nuk i flasin keq mësuesit të fëmijës së tyre. Ky është lloji i marrëdhënies që duhet të keni me fëmijën tuaj. Duhet të jesh një i rritur i përgjegjshëm – një i rritur që e do fëmijën e tij dhe, në të njëjtën kohë, e mban përgjegjës fëmijën e tij. Quhet prindërim efektiv.